Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar pas përfundimit të procesit të numërimit të votave të zgjedhjeve të 7 qershorit, që VV-së i dhanë 53 deputetë.
Kurti e ka cilësuar këtë rezultat si “fitore të fuqishme” dhe “dëshmi e mbështetjes së madhe qytetare”, e po ashtu, siç tha ai dëshmi se vendi nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja.
Kurti tha se si parti e parë, pas certifikimit të rezultateve do të nisin punën për formimin e institucioneve.
Ai ka thënë se është jetike që vendi të ketë sa më parë Kuvend funksional, Qeveri e President.
“Dje përfundoi procesi i numërimit të të gjitha votave. Ju falenderoj përzemërsisht për besimin e dhënë! Kjo fitore e fuqishme vjen si rezultat i mbështetjes së madhe qytetare brenda Republikës dhe në mërgatë, si dhe angazhimit të mijëra qytetarëve vullnetarë, anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes që nuk u ndalën asnjëherë.
Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, tregoi që nuk kishim nevojë për zgjedhje të reja, sepse rezultati nuk ka ndryshuar dhe aq. Si VETËVENDOSJE! jemi rikonfirmuar si partia e parë, me 53 deputetë, dhe tash presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja, për të vazhduar punët e mira dhe projektet zhvillimore”, tha Kurti.