Nga burgu te portet e Europës, dosja “Black Eagle” zbulon rrjetin e Hamzait: Drogë, armë dhe miliona

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.06.2026, 14:02

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë nxjerrë në dritë detaje të reja mbi aktivitetin kriminal të grupit të drejtuar nga Alfredo Hamzai, ku një rol kyç në zbardhjen e skemës ka pasur bashkëpunimi me autoritetet belge dhe informacionet e siguruara nga dosja e njohur si “Black Eagle”.

Sipas materialeve hetimore, komunikimet e përgjuara nga platforma e enkriptuar SKY ECC, si edhe analizimi i pajisjeve telefonike të sekuestruara, kanë evidentuar kontakte të vazhdueshme mes Alfredo Hamzait dhe Indrit Kulajt, një shtetas shqiptar i dënuar në Belgjikë për çështje të lidhura me trafikun e drogës.

Në dokumentet e autoriteteve belge thuhet se gjatë periudhës 19 tetor 2020 deri më 8 mars 2021, Kulaj, i cili ishte arrestuar në Spanjë në lidhje me trafikimin e 441 kilogramëve kokainë, vijonte të organizonte nga burgu krijimin e një rrjeti të ri ndërkombëtar për importimin e kokainës nga Paraguai drejt Evropës.

Sipas hetimeve, grupi kishte planifikuar përdorimin e linjave të transportit detar përmes ngarkesave të ligjshme si soja, karboni dhe mishi, ndërsa në këmbim të lëndëve narkotike parashikoheshin edhe shkëmbime me ekstazi, hashash dhe armë. Në skemë dyshohet se përfshiheshin avionë privatë, pilotë në dispozicion, bashkëpunëtorë në porte të ndryshme evropiane, ambiente për transformimin dhe magazinimin e drogës, si edhe kompani që dyshohet se do të përdoreshin për pastrimin e parave.

Hetuesit belgë arritën të siguronin prova të rëndësishme edhe nga përgjimet e realizuara në qelinë e Kulajt në burgun “Saint-Gilles”, ku ai shprehej se kishte ende njerëz jashtë, korrierë të gatshëm dhe kapacitete për të vijuar aktivitetin kriminal.

Një tjetër element që forcoi hetimin ishte kontrolli i ushtruar në një ambient të lidhur me Kulajn, ku u zbulua një hapësirë sekrete e ndërtuar pas një muri. Brenda saj autoritetet gjetën gjashtë armë, shumica të pajisura me silenciator, afro 30 mijë euro cash, rreth 17 kilogramë kokainë të ndarë në pako, pajisje për bllokimin e sinjaleve telefonike, një varkë gome tip “Zodiac” me motor dhe bateri, e cila sipas hetimeve lidhej me transportin e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan gjithashtu dhjetëra mijëra euro të tjera të fshehura në ambiente të ndryshme, dy ora luksoze “Rolex” dhe bizhuteri.

Në procesin gjyqësor të zhvilluar në Belgjikë janë përfshirë Alfredo Hamzai dhe një numër i madh personash të tjerë të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti kriminal ndërkombëtar. Megjithatë, SPAK thekson se ndaj Hamzait ekzistojnë elemente të reja provuese që nuk kanë qenë objekt shqyrtimi në atë proces gjyqësor. Sipas dosjes, edhe gjatë gjykimit në Belgjikë, Hamzai nuk e ka mohuar pozicionin e tij drejtues brenda organizatës kriminale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit