Eldi Dizdari ‘mori në qafë’ super trafikantët!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 18.06.2026, 13:00

Një dosje e gjerë hetimore e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ka zbardhur një skemë të dyshuar të pastrimit të qindra milionë eurove në Shqipëri, ku përfshihen emra të njohur të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës. Hetimet kanë nisur fillimisht si verifikim pasuror ndaj Denis Matoshit, i njohur si Eldi Dizdari.

Sipas SPAK, hetimi ka filluar në vitin 2020, pas dyshimeve për përfitimin e një prone prej rreth 500 m² në një zonë të shtrenjtë të Tiranës, në rrugën “Dervish Hima”, pranë stadiumit “Air Albania”. Kjo pasuri dyshohet se i ishte kaluar si dhuratë nga Qefsere dhe Eqerem Grori, si dhe Osman Dervishi, ndërsa aktualisht është sekuestruar nga autoritetet.

Në vijim të hetimeve, SPAK ka administruar të dhëna nga Kadastra dhe ka identifikuar një zinxhir transferimesh pronash mes Artur Shehut dhe Elton Memetit, të kryera ndërmjet viteve 2015–2022. Sipas dosjes, këto prona janë dhuruar dhe rishpërndarë disa herë mes personave të ndryshëm, përfshirë edhe individë të lidhur me çështje të trafikut të drogës, ndërsa në disa raste janë përfshirë edhe kontrata zhvillimi me kompani private.

Në dokumentet hetimore theksohet se gjatë fazës së sekuestrimit në vitin 2022, janë konstatuar lëvizje të dyshimta nga personat nën hetim, përfshirë kërkesa pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për informacion mbi hetimet e SPAK dhe tentativa për ndryshime në kontrata pronësie. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, përfshirë edhe letërporosi në kuadër të operacioneve të lidhura me dosjen “Black Eagle”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit