Shqiptarët vijojnë të kenë të ardhura dhe fuqi blerëse ndër më të ulëtat në Europë, por kur bëhet fjalë për ushqimet, po paguajnë çmime më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, çmimet e ushqimeve në Shqipëri kanë arritur në 102.9% të mesatares së BE-së në vitin 2025, nga 99.6% një vit më parë. Kjo do të thotë se një shportë ushqimore që kushton 100 euro në BE, në Shqipëri kushton mesatarisht 103 euro, e matur sipas fuqisë blerëse.
Ndërkohë, të ardhurat për frymë të shqiptarëve mbeten vetëm 43% e mesatares europiane, ndërsa konsumi individual për frymë arrin në 48%. Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë për këta tregues, duke lënë pas vetëm pak vende të rajonit.
Vendi është gjithashtu i vetmi në Ballkanin Perëndimor ku çmimet e ushqimeve kanë tejkaluar mesataren e BE-së. Serbia renditet pas Shqipërisë me 96.6% të mesatares europiane, ndërsa Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë nivele dukshëm më të ulëta.
Diferenca mes çmimeve dhe të ardhurave po bëhet gjithnjë e më e dukshme, thotë Monitor. Edhe pse Shqipëria mbetet një nga vendet më bujqësore në Europë, konsumatorët po përballen me kosto të larta për produktet ushqimore, duke bërë që një pjesë gjithnjë e më e madhe e buxhetit familjar të shkojë për nevojat bazë.
Ky fenomen po afron Shqipërinë me Europën në nivel çmimesh, por jo me të njëjtin ritëm në nivel të ardhurash, duke ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse dhe mirëqenien e qytetarëve.