Një adoleshente 16-vjeçare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një ngjarje shqetësuese që, sipas saj, ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e Astirit.
Vajza tregon se fillimisht drejtuesi i një automjeti tip "Benz" i ka tërhequr vëmendjen pranë vijave të bardha duke i shkelur syrin dhe më pas ka nisur ta ndjekë me makinë, duke u afruar vazhdimisht pranë saj.
Sipas dëshmisë së saj, ajo i ka bërë me dije disa herë personit në fjalë se ishte vetëm 16-vjeçe, por pretendon se ai ka vijuar komunikimin dhe sjelljen që i shkaktoi frikë dhe pasiguri.
"Filloi me një shkelje syri kur më hapi rrugën te vijat e bardha, më pas më ndoqi nga mbrapa me makinë dhe u afrua shumë pranë meje. Kur e pyeta çfarë po bënte, më tha: 'He moj, qetësohu se sa për presion ta bëra'. Në ato momente u ndjeva e frikësuar dhe nuk dija si të veproja", shkruan ajo në mesazhin e dërguar në redaksi.
E reja ka regjistruar me telefon një pjesë të incidentit, video që i është dërguar JOQ Albania. Në pamje dëgjohet ajo duke i kërkuar shoferit të largohet, ndërsa sipas saj, filmimi është bërë pasi situata e kishte alarmuar.
Adoleshentja kërkon që rasti i saj të bëhet publik për të sensibilizuar opinionin dhe për të shmangur situata të ngjashme ndaj vajzave të tjera në rrugë.