Një denoncim sa qesharak aq edhe shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar në Tiranë, i cili thotë se ka marrë një gjobë nga Policia Rrugore, e afishuar nëpërmjet portalit e-Albania për një shkelje rrugore që, sipas dokumentit, është kryer me motor.
Deri këtu gjithçka mund të dukej normale, por kur sheh procesverbalin, lind konfuzioni. Në dokument, te rubrika “Mjeti”, shënohet qartë se bëhet fjalë për një automjet tip BMW, ndërsa shkelja e konstatuar është: “Përdorimi i kaskës mbrojtëse për përdoruesit e mjeteve me dy rrota”.
Pra, sipas kësaj gjobe, ose BMW-ja e qytetarit është transformuar papritur në motor, ose dikush ka ngatërruar formularët rrugës.
Qytetari, me humor dhe ironi, i është drejtuar redaksisë sonë me këtë mesazh:
"I them zotit Fadil të ndajë mendjen me çfarë mjeti kam qenë... se motor nuk kam... dhe të anullojë gjobën."
Ai kërkon verifikimin dhe anulimin e masës administrative, pasi pretendon se nuk posedon motor dhe se gjoba duket të jetë vendosur gabimisht.
Nëse një BMW mund të konsiderohet mjet me dy rrota, atëherë ndoshta ka ardhur koha që prodhuesit gjermanë të na tregojnë sekretin e tyre më të madh teknologjik. Deri atëherë, qytetari pret që autoritetet të “ndajnë mendjen” dhe të sqarojnë se me çfarë mjeti rezulton të ketë qarkulluar.
