Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të mirëqenies në Europë, duke qenë e parafundit në rajon dhe kontinent sipas disa treguesve kryesorë të Eurostat. Të dhënat më të fundit tregojnë se konsumi aktual individual (AIC), i cili konsiderohet një nga treguesit më të saktë për matjen e mirëqenies reale, është në nivelin 48% të mesatares së Bashkimit Europian.
Ky tregues e pozicionon Shqipërinë pas shumicës së vendeve të Europës dhe nën Maqedoninë e Veriut, e cila arrin në 50% të mesatares së BE-së. Në rajon, vetëm Bosnjë-Hercegovina shënon një nivel më të ulët me 44%, ndërsa vende si Mali i Zi (71%) dhe Serbia (57%) rezultojnë dukshëm më lart, duke reflektuar diferenca të mëdha në fuqinë blerëse dhe standardin e jetesës.
Edhe në treguesin e PBB-së për frymë, Shqipëria mbetet në fund të renditjes europiane, në rreth 43% të mesatares së BE-së. Këto shifra tregojnë se pavarësisht rritjes ekonomike dhe ndryshimeve demografike, përmirësimi i mirëqenies dhe fuqisë reale blerëse të qytetarëve mbetet ende i kufizuar në krahasim me vendet e tjera të Europës.