Epoka 27-vjeçare e ujit falas në veri të Mitrovicës drejt fundit

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 16.06.2026, 16:33

Për gati tri dekada, uji në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës është konsumuar pa u faturuar. Tani, kjo praktikë e gjatë po shkon drejt fundit.

Banorët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit pritet që gjatë këtij viti të hyjnë për herë të parë në sistemin e rregullt të pagesës.

Kjo do të shënojë një kthesë të rëndësishme për një shërbim që për vite ka funksionuar jashtë rregullave të zakonshme të pagesës, duke krijuar rreth 20 milionë euro detyrime të pambledhura, sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”.

Por, çfarë do të ndodhë me borxhin e akumuluar ndër vite?!

Njëzet e shtatë vjet pa faturë

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, banorët e katër komunave janë furnizuar me ujë nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”, por pa asnjë mekanizëm faturimi.

Sipas të dhënave të kompanisë, vetëm nga viti 2016 deri në vitin 2025, vlera e ujit të shpenzuar ka arritur mesatarisht rreth 900 mijë euro në vit, ndërsa në disa periudha ka kaluar edhe mbi 1 milion euro.

Shpjegimi për këtë situatë nuk lidhet me një faktor të vetëm.

Pas luftës, veriu i Kosovës – i banuar kryesisht nga komuniteti serb – ka funksionuar për vite me struktura paralele dhe lidhje më të forta me institucionet e Serbisë sesa me ato të Kosovës.

Edhe pse furnizimi është kryer nga KRU “Mitrovica”, mungesa e kontrollit efektiv në terren dhe mosfunksionimi i plotë institucional kanë bërë që të mos vendoset asnjëherë një sistem i rregullt i faturimit dhe inkasimit.

Në vend të pagesës nga qytetarët, kostoja është mbuluar nga buxheti i shtetit përmes subvencioneve. Fillimi i ndryshimit

Në fillim të vitit të kaluar, KRU “Mitrovica” nënshkroi marrëveshje me kryetarët e atëhershëm të katër komunave veriore për fillimin e procesit të faturimit dhe inkasimit të ujit.

Sipas Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), faturimi fillimisht ishte planifikuar të niste në tre muajt e parë të këtij viti.

Por, nga vetë KRU “Mitrovica” konfirmohet se procesi është shtyrë dhe pritet të fillojë në fund të vitit 2026.

Arsyeja kryesore lidhet me mungesën e stafit të rekrutuar dhe organizimin e shërbimit në terren.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit