SPAK ka goditur një prej grupeve kriminale më të mëdha të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës, të drejtuar nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, i cili dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Me vendim të GJKKO-së, ndaj 10 anëtarëve të grupit është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”. Deri më tani është ekzekutuar vetëm masa ndaj Florjan Musajt, ndërsa SPAK bën me dije se kërkimet vijojnë për dy persona që dyshohet se ndodhen në Shqipëri. Shtatë të tjerët rezultojnë jashtë territorit shqiptar.
Nga hetimet ka rezultuar se organizata kriminale ka vepruar gjatë viteve 2019-2021 në disa vende të Amerikës Latine dhe Europës. SPAK ka dokumentuar pesë episode të trafikut të lëndëve narkotike, ku janë sekuestruar rreth 9 tonë kokainë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, fitimet e siguruara nga aktiviteti kriminal janë investuar në pasuri të paluajtshme, blerje aksionesh në kompani tregtare dhe shoqëri të ndryshme, kryesisht në sektorët e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës dhe fusha të tjera të biznesit.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 491 pasuri dhe asete të ndryshme, me një vlerë të përllogaritur rreth 150 milionë euro.
Personat ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë janë: Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Florjan Musaj, Armando Pacani, Denis Matoshi, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Dritan Gjika dhe Shpëtim Aliu.
Kjo dosje është hetuar nga prokurorët e SPAK, Klodjan Braho dhe Doloreza Musabelliu, të cilët kanë dokumentuar aktivitetin e grupit kriminal dhe skemën e dyshuar të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.