Mesazhi i priftit të Kishës së Laçit për të gjithë qytetarët në ditën e 16-të të protestës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.06.2026, 18:52

Teksa protesta qytetare në Tiranë hyn sot në ditën e saj të 16-të, një mesazh i fortë ka ardhur nga Pater Ndue Toplana, prifti i Kishës së Laçit, i cili u është drejtuar qytetarëve që prej më shumë se dy javësh po protestojnë kundër klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të demokracisë.

Në videon e publikuar prej tij, Pater Ndue Toplana u bën thirrje protestuesve që të mos përsërisin, sipas tij, të njëjtin gabim që u bë pas rrëzimit të regjimit komunist në fillim të viteve '90.

"Normalisht, po vazhdojnë protestat anti-regjim, për të liruar Shqipërinë. Por doja t'ju lutesha të gjithëve të mos bëhet i njëjti gabim që u bë në '90-ën. Në '90-ën, në vend që të pastrohej Shqipëria prej politikës së regjimit komunist, kaloi sërish në dorën e tyre. E sot po nisemi edhe njëherë me protesta për të ndryshuar situatën, pikërisht sikurse në '90-ën", shprehet ai.

Më tej, ai u bën thirrje qytetarëve që të mos lejojnë, sipas fjalëve të tij, që sakrifica e tyre të përfundojë duke rikthyer në pushtet të njëjtat figura politike.

"E kanë copëtuar, e kanë masakruar Shqipërinë, tokën shqiptare, e kanë plaçkitur dhe vazhdojnë duke e plaçkitur të dyja anët së bashku", deklaron Pater Toplana, duke iu referuar dy forcave kryesore politike që kanë qeverisur vendin gjatë dekadave të fundit.

Në një nga pjesët më të forta të mesazhit të tij, ai përdor një krahasim të drejtpërdrejtë për klasën politike:

"Këta janë sikurse cubat e pyllit që ditën kapen me njëri-tjetrin, e natën dalin për të vjedhur bashkë."

Prifti i Kishës së Laçit u drejtohet veçanërisht të rinjve, duke i cilësuar ata si shpresën dhe të ardhmen e vendit.

"Ju jeni e ardhmja e Shqipërisë, merreni në dorë Shqipërinë sepse është e juaja. Mos humbni më vite, por lirojeni Shqipërinë nga kjo skllavëri 35-vjeçare", shprehet ai në video.

Në fund të mesazhit, Pater Ndue Toplana deklaron se Kisha e Laçit do të mbështesë qytetarët në përpjekjet e tyre dhe i inkurajon ata të mos heqin dorë nga qëllimet që kanë vendosur.

"Dhe Kisha e Laçit ju ndihmon të gjithëve që të mos ndaleni, të mos frenoheni derisa ta arrini qëllimin e plotë për lirimin e Shqipërisë nga kjo klasë politike", përfundon ai.

Ndërkohë, protesta qytetare në Tiranë vijon edhe sot, në ditën e saj të 16-të, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë deklaruar vazhdimisht se ajo drejtohet kundër klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit