Britania ashpërson rregullat online, ndalon rrjetet sociale për të rinjtë nën 16 vjeç

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.06.2026, 16:27

Britania e Madhe po përgatitet të vendosë kufizime të reja për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 16 vjeç. Nismën e ka bërë publike kryeministri Keir Starmer, i cili e cilësoi atë si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e të miturve në hapësirën digjitale.

Sipas Starmer, ligji synon t’u ofrojë fëmijëve një mjedis më të sigurt për t’u zhvilluar, duke i mbajtur larg presioneve dhe rreziqeve që lidhen me botën online. “Kjo reformë do t’i ndihmojë fëmijët të jenë më të sigurt dhe më të lumtur, duke u krijuar më shumë mundësi për t’u rritur pa ndikimet negative të rrjeteve sociale”, deklaroi ai.

Projektligji pritet të kalojë për miratim në Parlament para Krishtlindjeve, ndërsa zbatimi i tij parashikohet të nisë në pranverën e vitit 2027. Nëse miratohet, ai do të kufizojë aksesin e personave nën 16 vjeç në platforma të njohura si TikTok, Instagram, Snapchat, YouTube, Facebook dhe X.

Britania nuk është e vetmja që po lëviz në këtë drejtim. Në shumë vende të botës po shtohen përpjekjet për të mbrojtur të miturit nga efektet e algoritmeve dhe përmbajtjeve të dëmshme në internet.

Australia ishte shteti i parë që vendosi një ndalim të tillë për përdoruesit nën 16 vjeç, ndërsa Spanja dhe Portugalia pritet të miratojnë masa të ngjashme gjatë muajve të ardhshëm. Ndërkohë, Franca, Kanadaja, Norvegjia dhe Danimarka po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së kufizimeve të ngjashme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit