U arrestua në Belgjikë për vrasjen e Naim Zyberit, ja si duket sot Gerd Gjenerali

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 15.06.2026, 16:06

Publikohet fotografia më e fundit e Gerd Gjinararit, i njohur me nofkën “Gjenerali”, i cili u vu në pranga në Belgjikë pas disa vitesh arrati. Lajmi u konfirmua nga Policia e Shtetit, e cila bëri të ditur se arrestimi u realizua falë bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Gjinarari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi kishte shmangur ekzekutimin e dënimit me burgim të përjetshëm. Ai nuk u paraqit për të vuajtur dënimin pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila rrëzoi lirimin e tij me kusht dhe urdhëroi rikthimin në qeli.

Historia e tij lidhet me një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të viteve ’90. Në vitin 1997, drejtësia italiane e dënoi për vrasjen e Naim Zyberit, figurë e njohur e botës së krimit në Tiranë. Sipas hetimeve, ekzekutimi ndodhi në një spital në Milano, ku viktima po kurohej.

Dosja hetimore e kohës tregonte se Gjinarari, së bashku me Arben Grorin, kishin hyrë në dhomën e spitalit duke u prezantuar si familjarë të pacientit. Dyshohet se arma e krimit ishte fshehur brenda një buqete me lule, e përdorur më pas për të kryer atentatin.

Në vitin 2014, Gjinarari u ekstradua në Shqipëri, ku Gjykata e Tiranës njohu dhe la në fuqi vendimin e autoriteteve italiane për burgim të përjetshëm. Pesë vite më vonë, ai përfitoi lirinë me kusht me vendim të Gjykatës së Korçës, një vendim që shkaktoi reagime të shumta dhe polemika të forta.

Më pas, Apeli e anuloi këtë vendim dhe urdhëroi rikthimin e tij në burg. Që prej atij momenti, Gjinarari u zhduk pa lënë gjurmë dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Me arrestimin e tij në Belgjikë, pritet të nisin procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë, ku do të duhet të përballet me vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit me burgim të përjetshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit