Policia e Tiranës ka nisur hetimet pas bllokimit të autostradës Tiranë–Durrës dhe rrugës drejt aeroportit të Rinasit, të shkaktuar nga një marshim protestuesish më 14 qershor. Për disa orë, qarkullimi në këtë aks u ndërpre, ndërsa protestuesit vijuan lëvizjen në drejtim të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Sipas të dhënave paraprake, disa prej organizatorëve të protestës janë marrë në pyetje nga policia, mes tyre edhe Gent Progni, i përfshirë në grupin që merret me mbarëvajtjen e tubimeve. Ende nuk ka një njoftim zyrtar përfundimtar, ndërsa paraprakisht po shqyrtohen vepra penale si prishja e qetësisë publike dhe bllokimi i rrugëve.
Rreth orës 00:26, protestuesit mbërritën në zonën e mbikalimit të Rinasit dhe vijuan marshimin drejt aeroportit “Nënë Tereza”, ku qëndruan deri rreth orës 02:00. Forcat e policisë vendosën kordon për të mos lejuar hyrjen në zonën e aeroportit, duke u bërë thirrje protestuesve të shpërndaheshin, ndërsa pas disa minutash situata u normalizua.