Një moment i veçantë ka tërhequr vëmendjen pas përfundimit të ndeshjes që Gjermania e fitoi me rezultatin e thellë 7-1. Ndërsa emocionet e sfidës dhe diferenca e madhe në rezultat mund të krijonin tension mes palëve, futbollistët e të dy kombëtareve dhuruan një mesazh të fortë respekti dhe bashkimi.
Pas vërshëllimës përfundimtare, disa prej lojtarëve u mblodhën në fushë dhe u lutën së bashku. Mes tyre ishin edhe futbollistët e Gjermanisë, Jonathan Tah dhe Felix Nmecha, të cilët iu bashkuan kundërshtarëve në një moment që shkoi përtej rivalitetit sportiv.
Pamjet u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale, ku u vlerësuan si një shembull i respektit dhe vlerave njerëzore që sporti mund të përcjellë. Në një kohë kur futbolli shpesh dominohet nga polemikat dhe rivalitetet e forta, ky gjest tregoi se ekzistojnë gjëra që i bashkojnë njerëzit më shumë sesa i ndajnë.
Duke komentuar momentin për mediat, Nmecha tha se kundërshtarët janë rivalë vetëm gjatë 90 minutave të lojës.
“Ne jemi rivalë në fushë, por pas ndeshjes jemi të gjithë miq. Ajo që na bashkon është besimi dhe lutja për Zotin”, u shpreh futbollisti gjerman.