Autoritetet belge kanë arrestuar Gerd Gjinarari, i njohur edhe si “Gert Gjenerali”, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi nuk ishte rikthyer në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit me burgim të përjetshëm.
Gjinarari është dënuar nga drejtësia italiane për vrasjen e Naim Zyberi, ngjarje e ndodhur në vitin 1997 në një spital në Milano. Sipas hetimeve, në krim është përfshirë edhe Arben Grori, ndërsa autorët dyshohet se hynë në dhomën e spitalit duke u shtirur si të afërm dhe realizuan ekzekutimin me armë zjarri të fshehur në një buqetë me lule.
Për këtë ngjarje, Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm në Itali dhe më pas u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014 për të vuajtur dënimin. Në vitin 2019 ai u lirua me kusht nga Gjykata e Korçës, por më vonë Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin dhe urdhëroi rikthimin e tij në burg. Pas mosparaqitjes për ekzekutimin e vendimit, ai u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe arrestimi në Belgjikë pritet të hapë procedurat e ekstradimit.