Një ngjarje e rëndë ka tronditur Mirditën në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne. Një 45-vjeçar është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij në fshatin Shkorrët, përgjatë aksit rrugor Reps–Spaç.
Viktima është identifikuar si Valter Lleshi, i cili dyshohet se është ekzekutuar me armë zjarri teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Toyota”. Ai u gjet pa shenja jete rreth orës 07:10, ndërsa në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe grupi hetimor.
Lleshi ishte punonjës i kompanisë së bazaltit në Spaç, një subjekt që ishte përballur edhe më herët me një incident të dyshimtë. Në mars të këtij viti, një sasi tritoli ishte vendosur në një prej makinerive të kompanisë, por nuk shpërtheu.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa motivet dhe autorët e krimit mbeten ende të paqartë.