Protesta qytetare që po zhvillohet prej 15 ditësh radhazi në Tiranë ka hyrë në një tjetër fazë përshkallëzimi, teksa qytetarët kanë bllokuar autostradën Tiranë-Durrës.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë protestues të ulur në mes të rrugës, duke ndalur qarkullimin në një prej akseve më të rëndësishme të vendit. Kjo është hera e parë që prej nisjes së protestave që qytetarët ndërmarrin një veprim të tillë.
Më herët gjatë mbrëmjes, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin "Skënderbej", për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku kënduan himnin kombëtar dhe dëgjuan fjalimet e aktivistëve. Pas përfundimit të tyre, protestuesit nisën marshimin më të gjatë të zhvilluar deri më tani, duke u zhvendosur drejt autostradës Tiranë-Durrës.
Gjatë gjithë protestës janë dëgjuar thirrje kundër klasës politike që, sipas protestuesve, ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të fundit. "Ju erdhi fundi", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe "Revolucion, revolucion", kanë qenë disa nga thirrjet e artikuluara nga qytetarët.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë theksuar vazhdimisht se protesta është një reagim ndaj problematikave të akumuluara ndër vite, duke përmendur korrupsionin, emigrimin masiv, vështirësitë ekonomike, gjendjen e sistemit shëndetësor dhe mungesën e besimit tek institucionet.
Bllokimi i autostradës shënon një nga momentet më të forta të kësaj lëvizjeje qytetare, e cila prej dy javësh ka mbledhur çdo mbrëmje protestues në kryeqytet, por ka gjetur mbështetje edhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe nga diaspora shqiptare në vende të ndryshme të botës.
Ndërkohë, mbetet për t'u parë se si do të vijojnë zhvillimet gjatë orëve në vijim dhe nëse do të ketë reagim nga autoritetet lidhur me bllokimin e autostradës.