Në mes të debateve dhe protestave që prej javësh po zhvillohen për projektet turistike në zonën e Zvërnecit, dokumente publike hedhin dritë mbi një proces tjetër që ka kaluar pothuajse pa vëmendje... transferimin e qindra hektarëve tokë nga pronarë privatë te bankat dhe më pas në fondet e investimit të krijuara prej tyre.
Sipas të dhënave të publikuara në Open Data, një prej zotërueseve është banka tregtare ABI Bank, e cila rezulton se kontrollon përmes fondeve të investimit dhe shoqërive komandite sipërfaqe të konsiderueshme toke në jug të vendit, kryesisht në zonat e Poros dhe Zvërnecit në Vlorë.
Dokumentet tregojnë se këto prona nuk janë blerë drejtpërdrejt nga bankat për investim, por janë pasuri të riposeduara pas mosshlyerjes së kredive nga debitorët. Kjo do të thotë se tokat kanë kaluar fillimisht si kolateral për kredi bankare, më pas janë sekuestruar nga bankat dhe në fund janë transferuar në struktura investimi të krijuara prej tyre.
Një nga rastet lidhet me krijimin, në qershor 2025, të shoqërisë komandite Bay View Alternative Investment Fund. Sipas dokumenteve, ABI Bank me CEO Andi Ballta zotëron 97.03% të investimit në këtë fond. Kapitali i deklaruar arrin në rreth 1.033 miliardë lekë, ose mbi 10.5 milionë euro.
Ky kapital përbëhet nga 10 milionë lekë në para dhe dy prona të kategorive pyll dhe livadh me sipërfaqe totale 321 mijë metra katrorë, ose 32.1 hektarë, në zonën e Poros. Tokat janë vlerësuar me 32.28 euro për metër katror, duke arritur një vlerë totale prej rreth 10.4 milionë eurosh.
Në total, vetëm këto fonde investimi të bankave rezultojnë të kontrollojnë 4.441.000 metra katrorë tokë, ose 444.1 hektarë, me një vlerë të deklaruar prej dhjetëra milionë eurosh. Të gjitha sipërfaqet ndodhen në zonat e Poros dhe Zvërnecit, territore që prej vitesh konsiderohen ndër më të lakmuarat për zhvillimin e turizmit në bregdetin shqiptar.
Një element që bie në sy në dokumentacion është fakti se për secilin fond është përgatitur një raport vlerësimi nga auditues të licencuar për të certifikuar kontributet në kapital. Në rastin e Sea Land Investment Fund, dokumentet publike tregojnë se raporti i vitit 2020 mban firmën e Ilir Binajt, i cili në tetor 2024 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
Megjithatë, dokumentet publike nuk japin përgjigje për disa pyetje thelbësore: kush ishin pronarët fillestarë të këtyre tokave, çfarë aktivitetesh zhvillonin, sa kredi kishin marrë dhe për çfarë qëllimesh. Po ashtu mbetet e paqartë pse bankat zgjodhën t’i transferonin këto prona në fonde investimi në vend që t’i shisnin në treg dhe nëse këto lëvizje lidhen me projektet e mëdha turistike që prej vitesh diskutohen për zonën e Zvërnecit dhe Nartës.
Historia e plotë e këtyre tokave, identiteti i pronarëve fillestarë dhe përfituesit e mundshëm të zhvillimeve të ardhshme mbeten ende të paqarta.