Dita e 15 e protestës, mijëra qytetarë marshojnë drejt Kryeministrisë: Revolucion!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.06.2026, 19:10

Dita e 15-të e protestës qytetare ka mbledhur sërish mijëra qytetarë në kryeqytet, të cilët kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të demokracisë.

Fillimisht, protestuesit u mblodhën në sheshin "Skënderbej", për të nisur më pas marshimin drejt Kryeministrisë. Pas mbërritjes përpara godinës së qeverisë, qytetarët kënduan himnin kombëtar, ndërsa aktualisht ndodhen të grumbulluar në pritje të fjalimeve të parashikuara nga organizatorët.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit pritet të vijojnë marshimin në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës, duke vazhduar mobilizimin që prej dy javësh ka sjellë çdo mbrëmje qindra dhe mijëra qytetarë në shesh.

Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje kundër figurave kryesore politike të vendit, ndërsa pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesën për drejtësi, llogaridhënie dhe ndryshim të mënyrës se si është qeverisur Shqipëria ndër vite.

"Rama në burg, Berisha në burg", "Shqipëri e re" dhe "Revolucion", kanë qenë disa nga thirrjet e artikuluara nga turma, ndërsa nuk kanë munguar as pankartat me mesazhe si: "Shqipëria nuk është në shitje" dhe "Rama, jepe dorëheqjen".

Prej 15 ditësh, Tirana është kthyer në epiqendrën e protestave qytetare, të cilat, sipas protestuesve, përfaqësojnë një reagim ndaj të gjithë kastës politike që ka drejtuar vendin përgjatë dekadave të fundit. Tubime solidarizuese dhe protesta janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit