Kullat e drogës, çfarë do ndodhë me qytetarët që kanë blerë apartamente? A do i kthehen paratë?

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 14.06.2026, 14:33

Operacionet e fundit të ligjit ndaj rrjeteve të dyshuara të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave kanë hapur një debat të gjerë ekonomik, ligjor dhe social në Shqipëri, veçanërisht për fatin e pasurive të sekuestruara, ku përfshihen edhe komplekse ndërtimi luksoze të quajtura në opinion publik si “kulla të drogës”, me apartamente të blera paraprakisht nga qytetarët.

Këto zhvillime prekin jo vetëm oligarkët që kanë pastruar paratë dhe kompanitë ndërtuese, por edhe një kategori të tretë që shpesh mbetet në qendër të pasigurisë juridike: qytetarët që kanë blerë apartamente në këto projekte ende të papërfunduara ose në fazë ndërtimi.

Nga pikëpamja ligjore, sekuestrimi i vendosur nga gjykata me kërkesë të SPAK-ut është një masë preventive. Kjo do të thotë se prona nuk konfiskohet menjëherë, por bllokohet për të parandaluar tjetërsimin e saj deri në përfundim të hetimeve dhe procesit gjyqësor. Në këtë fazë, shteti nuk është ende pronar i pasurisë, por administrues i saj përmes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Vetëm nëse gjykata vendos konfiskimin përfundimtar, pasuria kalon në pronësi të shtetit.

Problemi më i ndjeshëm lind kur në këto pasuri ekzistojnë kontrata paraprake shitblerjeje me qytetarë të zakonshëm, të cilët kanë paguar shuma të plota për apartamente “në ajër”, që ende nuk kanë përfunduar.

Në rastet kur blerja është e dokumentuar rregullisht, me kontrata të noterizuara dhe transferta bankare të gjurmueshme, këta individë mund të paraqiten si palë të treta me interes të ligjshëm dhe të kërkojnë njohjen e të drejtës së tyre mbi pronën.

Në teori juridike, gjykata mund të ndajë pasurinë e sekuestruar duke përjashtuar pjesë që i përkasin blerësve të mirëbesimit, sidomos kur provohet se ata nuk kanë pasur asnjë lidhje me aktivitetin kriminal të hetuar.

Megjithatë, në praktikë, situata është shumë më komplekse. Nëse pasuria përfundimisht konfiskohet dhe kalon në pronësi të shtetit, qytetarët nuk përfitojnë automatikisht as apartamentin dhe as kthimin e parave.

Paratë e bllokuara në llogaritë bankare të subjekteve të hetuara trajtohen si pjesë e pasurisë së dyshuar kriminale dhe në rast konfiskimi, ato kalojnë në buxhetin e shtetit. Kthimi i fondeve për individët ndodh vetëm nëse gjykata i njeh ata si kreditorë të ligjshëm dhe vendos shprehimisht kompensimin e tyre, proces i cili kërkon prova të forta, dokumentacion të rregullt dhe një vendim gjyqësor të veçantë.

Nga këndvështrimi ekonomik, kjo situatë ka krijuar një pasiguri të re në tregun e pasurive të patundshme, sidomos në Tiranë, ku një pjesë e konsiderueshme e ndërtimeve të reja është financuar përmes parablerjeve.

Rreziku lidhet me faktin se një pjesë e kapitalit në ndërtim nuk ka qenë gjithmonë bankar dhe transparent, duke e bërë tregun të ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve të organeve të drejtësisë. Në momentin që një projekt ndërtimi bllokohet, zinxhiri financiar ndërpritet: ndërtimi ndalon, bankat ngrijnë ekspozimet, dhe qytetarët mbeten në një zonë gri mes kontratës civile dhe hetimit penal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit