Në qendër të dosjes së biznesmenit Ilir Shtufi, i arrestuar një ditë më parë në Selanik të Greqisë me masë “arrest në burg”, ëshrë fakti se rezulton i përfshirë në veprime të kundërligjshme të pastrimit të parave në funksion të shtetasit Luçiano Koçeku.
Shtufi dyshohet se ka vepruar përmes kompanive të tij “Nova Construction” dhe “LTD”, duke kryer një sërë veprimesh financiare dhe juridike të konsideruara fiktive, përfshirë shitje dhe tjetërsime pronash, me qëllim integrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal i Koçekut.
Nga analizat financiare të këtyre kompanive, janë konstatuar rritje të ndjeshme të qarkullimit monetar në periudhat që përkojnë me aktivitetin kriminal të dyshuar të grupit të Koçekut. Po ashtu, komunikimet e përgjuara në aplikacionin e enkriptuar “SKY ECC” kanë zbuluar, sipas SPAK, një koordinim të drejtpërdrejtë mes Koçekut dhe strukturave të lidhura me ndërtimet.
Në këto komunikime përmenden edhe persona të tjerë si Genci Bedini dhe Ardian Zykaj, ku diskutohen sipërfaqe tregtare dhe ambiente në një objekt në Rrugën e Kavajës në Tiranë, duke ngritur dyshime për përdorimin e projekteve ndërtimore si instrument për integrimin e fondeve me origjinë kriminale.
Një nga asetet më të përfolura në dosje është kulla e njohur si “Tirana Garden Building”, e ndërtuar nga subjekti “Nova Construction”. Objekti ndodhet në zonën e “Rrugës së Kavajës” dhe është një kullë e kuqe shumëkatëshe me përmasa të konsiderueshme: 85 metra e lartë, 24 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, me një sipërfaqe totale ndërtimi prej rreth 65 mijë m². Punimet për të kanë nisur në mars 2018 dhe janë përfunduar në shkurt 2021, me “Nova Construction” si kontraktor kryesor.
Projekti dyshohet se është përdorur si kanal për pastrimin e parave, duke e lidhur atë me rrjedhën financiare të grupit kriminal të Koçekut, bazuar edhe në përputhjen e planimetrive të reklamuara publikisht me ato të përmendura në komunikimet e SKY ECC.
Në dosje përfshihet edhe dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë Erion Alibej, i cili ka deklaruar se investime të ngjashme me kapital “cash” janë bërë edhe në objekte të tjera në Tiranë. Ai përmend konkretisht një ndërtesë të njohur si “Pallati i Kuq” në zonën e “21 Dhjetorit”, pranë xhamisë, ku sipas tij shtetasi Artur Koçeku ka investuar gjysmën e vlerës së objektit me para në dorë, së bashku me persona të tjerë të lidhur me aktivitetin kriminal të trafikut të narkotikëve.