Gjergj Luca përdor 14-vjeçarin që punon në ndërtim kundër qytetarëve që protestojnë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.06.2026, 22:46

Në këtë video të publikuar nga Gjergj Luca nuk shfaqen thjesht dy adoleshentë që punojnë. Shfaqet një realitet i hidhur që duhet të na shqetësojë të gjithëve: dy të mitur, 14 dhe 15-vjeç, në një kantier pune, ndërsa duhej të ishin në bankat e shkollës.

Por ajo që e bën videon edhe më të rëndë është fakti se këta fëmijë përdoren si argument kundër mijëra qytetarëve që prej 14 ditësh po protestojnë në Tiranë kundër klasës politike. Kur Luca pyet një prej të miturve pse nuk ka dalë në protestë dhe ai përgjigjet: “Duhet të punosh”, kjo fjali kthehet menjëherë në mesazhin që ai zgjedh t'u japë protestuesve.

Pra, në vend që të shtrohet pyetja pse një 14-vjeçar ndodhet në një kantier pune, sulmohen ata që po ngrenë zërin në rrugë. Në vend që të dënohet një fenomen që në çdo shoqëri normale do të konsiderohej alarm social, ai paraqitet si shembull për t'u ndjekur.

Askush nuk po vë në dyshim dinjitetin e punës së ndershme. Problemi është kur puna e fëmijëve përdoret si propagandë kundër qytetarëve që protestojnë dhe kur një realitet që duhet të na trondisë paraqitet si virtyt.

Në një vend normal, pyetja nuk do të ishte sa punëtor është një 14-vjeçar. Pyetja do të ishte pse një 14-vjeçar është i detyruar të punojë. Pse nuk është në shkollë? Pse nuk po jeton fëmijërinë e tij?

Kjo është arsyeja pse pamje të tilla të sjellin ndër mend emrin e Ardit Gjoklajt. Vetëm 17-vjeç ishte Arditi kur humbi jetën në landfillin e Sharrës në vitin 2016, teksa punonte në kushte që nuk duhej t’i përjetonte kurrë një i mitur. Historia e tij mbetet një kujtesë e dhimbshme se puna e fëmijëve nuk është heroizëm, por shpesh pasojë e varfërisë, mungesës së mbrojtjes dhe dështimit të institucioneve.

Prandaj pyetja që ngre kjo video është e thjeshtë: a duhet të duartrokasim faktin që fëmijët punojnë që 14 vjeç, apo duhet të kërkojmë një Shqipëri ku ata të jenë në shkollë dhe jo në kantier?

Sepse një shoqëri e shëndetshme nuk matet nga sa herët i fut fëmijët në tregun e punës, por nga sa gjatë arrin t'u mbrojë të drejtën për të qenë fëmijë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit