Ka nisur sot dita e 14-të e protestës qytetare në Tiranë, ku mijëra qytetarë janë mbledhur në Sheshin Skënderbej, për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Prej dy javësh, protestuesit po dalin çdo ditë në rrugët e kryeqytetit, duke e cilësuar këtë lëvizje si një reagim kundër klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të demokracisë në Shqipëri.
Me pankarta në duar dhe thirrje që tashmë janë kthyer në simbol të kësaj proteste popullore, qytetarët kanë përsëritur sloganet "Rama, jep dorëheqjen", si dhe "Rama n'burg, Berisha n'burg", duke kërkuar fundin e pandëshkueshmërisë dhe më shumë llogaridhënie nga drejtuesit politikë të vendit.
Protestuesit shprehen se pakënaqësitë e tyre lidhen me problematika të akumuluara ndër vite, si korrupsioni, padrejtësitë sociale, emigrimi masiv i të rinjve, mungesa e mundësive ekonomike dhe mosbesimi ndaj klasës politike.
Ndërkohë, duhet theksuar se pjesëmarrja në protesta ka ardhur në rritje nga dita në ditë, ndërsa lëvizje të ngjashme solidarizuese janë zhvilluar edhe nga shqiptarët e diasporës në vende të ndryshme të Europës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe këtë mbrëmje, pas grumbullimit në Sheshin Skënderbej, protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të vijojnë të shprehin publikisht kërkesat dhe qëndrimet e tyre.