Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me zhdukjen e Eglant Koçit, të cilat lidhen me dëshminë e drejtuesit të një karrotreci. Sipas deklarimeve të tij para hetuesve, pasi kishte dorëzuar mjetin në zonën e Ibës, ai nuk ka pasur më asnjë informacion mbi fatin e automjetit apo mbi atë që ndodhej brenda tij.
Në kuadër të hetimeve, gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet që dyshohet se janë përdorur për mbajtjen e 34-vjeçarit, janë konstatuar gjurmë të dyshuara si mbetje baruti. Përfundimet e ekspertizës laboratorike pritet të jenë vendimtare për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, operacioni për gjetjen e trupit të Eglant Koçit është shtrirë në disa drejtime, duke u fokusuar kryesisht në zonat përreth Tiranës, Elbasanit dhe Librazhdit, ku dyshohet se mund të jenë zhvendosur provat ose trupi i viktimës.
Nga ana tjetër, hetuesit dyshojnë se 41-vjeçari i shpallur në kërkim ka tentuar të shmangë gjurmimin, duke ndryshuar të paktën gjashtë numra telefoni brenda pak ditësh.
Pavarësisht se policia e mbajti nën monitorim, Shakaj më pas u largua dhe humbi gjurmët. Kur u kontaktua sërish për t’u paraqitur, ai pretendoi se ndodhej në spital.
Hetimet e mëtejshme, së bashku me analizën e kamerave të sigurisë, kanë çuar autoritetet në dyshimin se Shakaj mund të ketë qenë i përfshirë në rrëmbimin e Eglant Koçit. Sipas të dhënave të sistemit TIMS, ai nuk rezulton të ketë dalë jashtë vendit, duke shtuar dyshimet se mund të jetë ende i fshehur brenda territorit të Tiranës.