Ku është hapësira publike? Çadrat në Golem kanë mbërritur deri në det

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.06.2026, 14:36

Sipas rregullores në fuqi, autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave për dhënien në përdorim të stacioneve të plazhit është Grupi Teknik i Shqyrtimit të Aplikimeve (GTSHA).

Ndër kushtet minimale që operatorët duhet të plotësojnë përpara lidhjes së kontratës janë: respektimi i distancës prej 10 metrash ndërmjet brezit të çadrave dhe vijës bregdetare; lënia e një hapësire të lirë prej 2.5 metrash përpara rreshtit të parë të çadrave për përdorim nga publiku; si dhe ruajtja e distancave minimale ndërmjet çadrave, jo më pak se 3 metra në drejtim horizontal dhe 2.5 metra në drejtim vertikal me vijën e ujit.

Rregullorja parashikon gjithashtu masa të detyrueshme sigurie, si vendosjen e bovave dhe flamujve informues në gjuhën shqipe dhe angleze, si dhe përcaktimin e pranisë ose mungesës së vrojtuesve të plazhit. Operatorët janë të detyruar edhe të respektojnë normat e lejuara të zhurmës.

Megjithatë, në zonën e Golemit konstatohet se në shumë raste çadrat dhe shezlongët janë vendosur deri pranë vijës së ujit, pa lënë hapësirën minimale të parashikuar për përdorimin e lirë të bregut nga qytetarët.

Kjo situatë kufizon jo vetëm lëvizjen dhe shëtitjen përgjatë bregdetit, por edhe zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe rekreative në plazh.

Qytetarët kërkojnë respektimin e rregullave të përcaktuara në legjislacion dhe garantimin e aksesit të lirë në hapësirat publike bregdetare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit