Një operacion i Policisë së Fierit ka çuar në arrestimin e Demirel Sinajt, 27 vjeç, banues në fshatin Kreshpan, i dyshuar për përfshirje në një skemë të trafikimit dhe shitjes së bizhuterive të vjedhura.
Sipas hetimeve, Sinaj siguronte bizhuteri ari dhe argjendi, përfshirë edhe varëse të zbukuruara me diamante, të cilat dyshohet se ishin vjedhur në Itali dhe Greqi. Më pas, sendet futeshin kontrabandë në Shqipëri dhe tregtoheshin në argjendari të ndryshme në Fier dhe Lushnjë.
Në vijim të operacionit, policia shpalli në kërkim një 45-vjeçar nga fshati Kraps i Fierit, i cili dyshohet se bashkëpunonte me Sinajn në vjedhjen e sendeve me vlerë jashtë vendit. Edhe në banesën e tij u gjetën bizhuteri, ora dhe një shkop gome.
Ndërkohë, hetimet janë shtrirë edhe te rrjeti i tregtimit të këtyre sendeve. Procedim penal në gjendje të lirë është nisur ndaj shtatë administratorëve të argjendarive në Fier dhe Lushnjë: Dritan Hoxhaj, Enklev Gjergji, Mirlind Subashi, Agron Kulluri, Albiano Shahaj, Bujar Balla dhe Jurida Dashi të dyshuar se blinin mallrat e vjedhura dhe i shisnin në bizneset e tyre.
Gjatë kontrolleve në argjendari dhe banesa u gjetën mallra pa dokumentacion të ligjshëm origjine, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e sendeve të vjedhura u identifikuan dhe u sekuestruan.
Bilanci i operacionit është i konsiderueshëm: rreth 15 kilogramë ar, mbi 4 kilogramë argjend, qindra ora luksoze, bizhuteri me diamante dhe sende të tjera me vlerë. Sipas policisë, vlera paraprake e pasurive të sekuestruara llogaritet në rreth 2 milionë euro.