Një situatë shqetësuese dhe e pasigurt po mbretëron prej kohësh në rrugët e qytetit të Kukësit. Banorët e zonës raportojnë se turma të mëdha qensh endacakë kanë pushtuar lagjet, hapësirat pranë shkollave dhe akset kryesore, duke u kthyer në një kërcënim serioz për sigurinë e qytetarëve, e veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.

Përtej rrezikut të përditshëm, ajo që ngjall më shumë revoltë te kuksianët është plogështia dhe mungesa e reagimit nga ana e institucionit të Bashkisë Kukës.
Përmes një denoncimi të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, qytetarët nuk kanë kursyer as ironinë e hidhur, duke kujtuar se pikërisht një projekt i dështuar për qentë e rrugës u bë shkak për rrëzimin e ish-kryetarit të bashkisë nga posti, e megjithatë, situata në terren ka mbetur e pandryshuar.

"Skandali u zgjidh, kryetari u largua, titujt e lajmeve u harruan... vetem qente mbeten aty ku ishin", – shprehet i zhgënjyer një banor, duke vënë në dukje se premtimet dhe zhurma mediatike nuk sollën asnjë zgjidhje konkrete për qytetin.
Banorët bëjnë thirrje urgjente për ndërhyrje nga autoritetet lokale përpara se të regjistrohet ndonjë incident apo sulm i rëndë nga kafshët e rrugës.
"Përshëndetje JOQ Albania! Dua të shpreh një shqetësim që prek banorët e qytetit të Kukësit. Ka kohë që në shumë zona të qytetit shihen turma të mëdha qensh endacakë, të cilët lëvizin lirshëm pranë lagjeve, shkollave dhe rrugëve kryesore. Kjo situatë ka krijuar pasiguri te qytetarët, veçanërisht te fëmijët dhe të moshuarit.Ajo që shqetëson më shumë është mungesa e veprimeve konkrete nga Bashkia e Kukësit për trajtimin e këtij problemi. Ironia më e madhe është që ish-kryetari i bashkisë humbi postin pas një skandali që nisi pikërisht nga një projekt për qentë e rrugës, por sot qytetarët vazhdojnë të ankohen për të njëjtin problem.Pra, skandali u zgjidh, kryetari u largua, titujt e lajmeve u harruan... vetëm qentë mbetën aty ku ishin."
