Atmosfera e protestës qytetare që prej 13 ditësh ka mbushur rrugët e Tiranës duket se po reflektohet edhe përtej shesheve të protestës.
Gjatë koncertit të këngëtarit të njohur Ylli Limani, të mbajtur mbrëmjen e së premtes në kryeqytet, një pjesë e të rinjve të pranishëm kanë shpërthyer në thirrje në kor: "Rama, jep dorëheqjen!"
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur mes muzikës dhe entuziazmit të koncertit dëgjohen qartë thirrjet e të rinjve, të cilat janë bërë tashmë të zakonshme në protestat e zhvilluara para Kryeministrisë dhe në marshimet në rrugët e Tiranës.
Prej gati dy javësh, mijëra qytetarë po protestojnë kundër klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të demokracisë, duke ngritur shqetësime që lidhen me korrupsionin, padrejtësitë sociale, emigrimin masiv të të rinjve, mungesën e mundësive dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen familjet shqiptare.
Ndërkohë, mesazhet e pakënaqësisë duket se po gjejnë jehonë edhe në ambiente të tjera publike, duke treguar se zëri i protestës po shtrihet përtej organizimeve të mirëfillta qytetare.
Protestat në Tiranë kanë hyrë tashmë në ditën e 13-të, ndërsa manifestime të ngjashme janë zhvilluar edhe nga shqiptarët e diasporës në qytete të ndryshme të Europës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse deri dje thirrjet dëgjoheshin vetëm në shesh, mbrëmjen e së premtes ato u dëgjuan edhe në një koncert, mes qindra të rinjve të mbledhur në kryeqytet.