I riu me jetski shpëton pushuesin që iu rrezikua jeta nga dallgët e forta

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.06.2026, 00:19

Një ngjarje me fund të lumtur është regjistruar këtë të premte në bregdetin e jugut, në Drimadhë, ku një i ri ka rrezikuar të mbytet pasi është marrë larg nga bregu nga dallgët e forta dhe era e fuqishme që ka përfshirë zonën gjatë ditës.

Sipas informacioneve të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, i riu kishte dalë në det me një varkë me pedale, por për shkak të kushteve të rënduara të motit dhe rrymave të forta detare, ai ka përfunduar shumë larg bregut, pa mundur të kthehej.

Për fat të mirë, situata është vënë re nga disa të rinj që ndodheshin në det me jet ski, të cilët kanë reaguar menjëherë. Mes tyre ishte edhe Alonso Selmanaj, i cili së bashku me miqtë e tij është nisur drejt të riut në vështirësi dhe ka arritur ta nxjerrë atë nga rreziku.

Në videon e mbërritur në redaksinë tonë shihet momenti kur Alonso e sjell me jet ski drejt bregut të riun që kishte rrezikuar jetën. Sipas dëshmive, i shpëtuari ishte në gjendje të rënduar emocionale dhe u ka thënë të pranishmëve se nuk i besohej që sapo kishte shpëtuar nga një tragjedi.

Ngjarja vjen në një ditë kur jugu i vendit është përballur me erëra të forta dhe dallgë të mëdha, duke krijuar vështirësi serioze në det. Kujtojmë se më herët gjatë ditës, edhe trageti i linjës Korfuz–Sarandë nuk arriti të ankorohej në portin e Sarandës pikërisht për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.

Mes lajmeve të shumta negative, ky rast sjell një histori shprese dhe humanizmi. Reagimi i shpejtë dhe guximi i Alonsos dhe miqve të tij bënë diferencën mes jetës dhe vdekjes, duke e kthyer këtë ndërhyrje në një shembull të admirueshëm të solidaritetit dhe ndihmës ndaj tjetrit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit