Një grup turistësh nga Italia iu bashkua këtë mbrëmje marshimit të mijëra qytetarëve në rrugët e Tiranës, në protestën që po vijon për të 13-ën ditë radhazi kundër klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të demokracisë.
Në një video të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, turistët italianë shfaqen duke ecur krah protestuesve shqiptarë, ndërsa bashkohen me thirrjet që dëgjohen gjatë marshimit. Mesazhi i tyre ndaj kryeministrit dëgjohet qartë në pamjet e filmuara, pa pasur nevojë për komente të tjera.
Momenti më domethënës vjen kur një qytetare shqiptare i pyet nëse ndihen të frikësuar nga situata e krijuar nga protestat në vend. Njëra prej turisteve i përgjigjet shkurt, por me shumë ngrohtësi: "Ne ju adhurojmë."
Reagimi i tyre vjen në një kohë kur përfaqësues të mazhorancës kanë deklaruar se protestat po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe po mbajnë larg turistët. Megjithatë, kjo video duket se tregon një tjetër realitet: vizitorë të huaj që jo vetëm nuk ndihen të kërcënuar nga protesta, por zgjedhin të ecin mes qytetarëve dhe të shprehin mbështetjen e tyre.
Protesta, e cila ka hyrë në ditën e saj të 13-të, ka mbledhur çdo mbrëmje qytetarë që kërkojnë ndryshim, më shumë drejtësi, llogaridhënie dhe zgjidhje për problemet që, sipas tyre, kanë shoqëruar vendin prej dekadash.