Pas tubimimit përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar për të 13-ën ditë radhazi mobilizimin qytetar kundër klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të demokracisë.
Me pankarta në duar dhe thirrje si "Opozita jemi ne" dhe "Ju erdhi fundi", qytetarët po marshojnë në rrugët kryesore në Tiranë, ndërsa pjesëmarrësit shprehen se protesta nuk ka ngjyra partiake, por përfaqëson pakënaqësinë e akumuluar ndaj problemeve që, sipas tyre, vazhdojnë prej dekadash.
Protestuesit ngrenë shqetësime që lidhen me korrupsionin, padrejtësitë sociale, varfërinë, emigrimin masiv të të rinjve, mungesën e mundësive, abuzimet me pushtetin dhe mosndëshkimin e zyrtarëve të përfshirë në afera të ndryshme.
Numri i qytetarëve që i bashkohen protestës po rritet nga dita në ditë, duke e kthyer këtë lëvizje në një nga mobilizimet më të gjata qytetare të viteve të fundit.
Gjatë dy javëve të fundit, protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe nga shqiptarët e diasporës, në qytete të ndryshme të Europës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera ku jetojnë komunitete shqiptare. Edhe atje janë dëgjuar thirrje kundër klasës politike dhe kërkesa për më shumë drejtësi, llogaridhënie dhe ndryshim në mënyrën se si qeveriset vendi.