Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik i regjistruar pasditen e sotme në aksin rrugor Korçë-Ersekë, pranë fshatit Kamenicë, ku humbi jetën një fëmijë 3-vjeç.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 16:30, automjeti tip "Nissan", i drejtuar nga shtetasi Sh. V., 76 vjeç, ka përplasur dy këmbësorë, nënë e bir, shtetasen Sh. M., rreth 44-vjeçe, dhe djalin e saj të mitur, rreth 3-vjeç.
Si pasojë e plagëve të marra, 3-vjeçari ndërroi jetë në spital, ndërsa nëna e tij po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për kryerjen e veprimeve procedurale, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, fqinjë dhe banorë të zonës kanë rrëfyer momentet e para pas aksidentit, duke treguar se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash.
"Dëgjova zhurmën. Sapo ikën nga shtëpia ime dhe dëgjova zhurmën që krisi, dy zhurma të mëdha krisën. E dëgjova, erdha në moment këtu, kur pashë fëmija ishte shtrirë në xhade. E ëma po qante mbi fëmijën, e mbuluar komplet me baltë. Edhe e ndihmuam. I hodhëm ujë fëmijës, por ai nuk reagonte. Atje ishte edhe drejtuesi i mjetit. Po rrinte me ne, çfarë të bënte? Të tërë aty në kokë ishim", u shpreh një banore e zonës.
Banorët kanë ngritur gjithashtu shqetësimin për sigurinë në aksin Korçë-Ersekë, duke theksuar se segmenti rrugor pranë Kamenicës është bërë shpesh skenë aksidentesh dhe se nevojiten masa për të shmangur tragjedi të tjera.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e aksidentit që i mori jetën 3-vjeçarit.