Një nga operacionet më të bujshme të muajve të fundit ka zbarkuar këtë të premte në botën e biznesit dhe ndërtimit. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), janë lëshuar 20 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në një skemë të gjerë pastrimi parash dhe veprimtari të lidhura me një grup të strukturuar kriminal.
Mes emrave që kanë përfunduar në radarët e SPAK është edhe biznesmeni Orges Birçaj, i njohur publikisht si njeriu pas biznesit të automjeteve luksoze “Top Seven”. Për të është caktuar masë sigurie dhe aktualisht rezulton në kërkim, ndërsa autoritetet po punojnë për lokalizimin e tij, pasi dyshohet se mund të ndodhet jashtë vendit.
Sipas hetimeve, pas fasadës së bizneseve luksoze, kullave shumëkatëshe dhe investimeve milionëshe në bregdet, fshihet një rrjet i ndërlikuar financiar që SPAK dyshon se është përdorur për të legalizuar para me origjinë kriminale. Prokurorët po hetojnë një skemë ku pronësitë formale dhe ato reale nuk përputhen, ndërsa bizneset rezultojnë të regjistruara në emra të tjerë.
Një nga rastet që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është pikërisht kompania “Top Seven”. Ndonëse në dokumentacion figuron në pronësi të Erinda Lutajt, SPAK dyshon se kontrolli real i aktivitetit ushtrohej nga Orges Birçaj, i cili sipas hetimeve vepronte në prapaskenë përmes personave të tretë dhe kompanive të lidhura.
Në qendër të verifikimeve ndodhen disa investime me vlera marramendëse. Mes tyre është showroom-i i njohur “Top Seven Luxury Cars” në Tiranë, ku ekspozohen automjete të markave elitare si Rolls-Royce, Ferrari, McLaren dhe Mercedes Brabus, me vlera që në disa raste arrijnë deri në qindra mijëra euro për një automjet të vetëm.
Po ashtu, nën lupën e SPAK ka përfunduar edhe projekti “Top Seven Tower” në zonën e Laprakës, një kullë shumëkatëshe që përfaqëson një nga zhvillimet më të mëdha urbane të viteve të fundit në atë zonë. Hetuesit po shqyrtojnë burimin e financimeve dhe rrugën e qarkullimit të parave që kanë ushqyer projektin.
Një tjetër investim që po verifikohet është kompleksi i vilave “SIN” në Palasë, ku çmimet e pronave arrijnë deri në miliona euro. Projekti konsiderohet një nga zhvillimet më luksoze në bregdetin shqiptar dhe tashmë është bërë pjesë e dosjes së hetimeve financiare.
Ndërkohë, me urdhër të SPAK është bllokuar edhe aktiviteti i biznesit të makinave me qira “Top Seven”, pranë ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Ambientet e kompanisë janë vendosur nën sekuestro, ndërsa hetuesit po analizojnë dokumentacionin financiar, transaksionet dhe lidhjet e mundshme me personat e përfshirë në dosje.
Operacioni i SPAK ka tronditur një rrjet biznesesh që për vite me radhë kanë operuar nën imazhin e suksesit dhe investimeve të mëdha. Tashmë mbetet në dorën e hetimeve të provojnë nëse pas makinave superluksoze, kullave shumëkatëshe dhe projekteve elitare fshihej një mekanizëm i sofistikuar për pastrimin e parave në shkallë të gjerë.