Biznesmenët e arrestuar nga SPAK kishin siguruar 1.2 mln metër katror leje ndërtimi

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 12.06.2026, 12:39

Operacioni i fundit i SPAK, që ka çuar në lëshimin e urdhër-arresteve për Artur Shehun, Ilir Shtufin dhe Orest Sotën nën dyshimet për pastrim parash me burim nga trafiku i drogës, konsiderohet si një nga goditjet më të forta të viteve të fundit ndaj ekonomisë informale që dyshohet se ka depërtuar në sektorin e ndërtimit.

Prej vitesh, media, ekspertët e ekonomisë dhe raportet ndërkombëtare kanë ngritur alarmin se tregu i ndërtimit në Shqipëri po ushqehet nga flukse të mëdha parash me origjinë të paqartë. Tashmë, hetimi i SPAK duket se po prek pikërisht emra që kanë qenë ndër përfituesit më të mëdhenj të lejeve të ndërtimit në vend.

Nga një analizë e lejeve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit rezulton se grupi i kompanive të lidhura me biznesmenët Ilir Shtufi, Kujtim Shtufi dhe Mark Luli ka siguruar numrin më të lartë të lejeve për ndërtime shumëkatëshe në kryeqytet.

Kompanitë Nova Construction Group, Ferro Beton & Construction CO, Devealb Construction dhe M.C Inerte janë pajisur me plot 11 leje ndërtimi për rezidenca dhe hotele me një sipërfaqe totale prej rreth 727 mijë metrash katrorë. Vetëm ky grup përfaqëson rreth 15 për qind të volumit total të ndërtimeve të larta të miratuara nga KKT në vitet e fundit.

Në fokus të hetimeve ndodhet edhe Orest Sota. Kompania Forever Construction, në pronësi të babait të tij, Lefter Sota, ka përfituar tre leje për kulla me një sipërfaqe totale prej 238 mijë metrash katrorë. Mes tyre spikat një projekt gjigant në bulevardin “Gjergj Fishta”, i cili nga një godinë 18-katëshe me sipërfaqe mbi 102 mijë metra katrorë u zgjerua më vonë në rreth 155 mijë metra katrorë. Po ashtu janë miratuar projekte të tjera në zonën e ish-Bllokut dhe në rrugën “Asim Vokshi”.

Një tjetër emër i përfshirë në operacion është Artur Shehu, i cili njihet si një nga pronarët më të mëdhenj të tokave në zonën e Zvërnecit, ku parashikohet të ndërtohet një resort turistik luksoz me investitorë nga Katari. Projekti ka marrë vëmendje ndërkombëtare pasi është promovuar edhe nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner, familjarë të presidentit amerikan Donald Trump.

Hetimi i SPAK rikthen në qendër të debatit një pyetje që prej vitesh kërkon përgjigje: si është financuar bumi i kullave që ka transformuar Tiranën?

Analizat e bilanceve financiare të kompanive të mëdha të ndërtimit tregojnë se mesatarisht rreth 80 për qind e financimit të projekteve vjen përmes parashitjeve dhe skemave të kleringut. Sipas ekspertëve, ky model krijon terren të favorshëm për futjen e kapitaleve me origjinë të dyshimtë në ekonomi, pasi fondet mund të qarkullojnë me vështirësi të gjurmueshme.

Pikërisht për këtë arsye, operacioni i SPAK shihet si shumë më tepër sesa një hetim ndaj disa individëve. Ai prek një nga sektorët më të fuqishëm të ekonomisë shqiptare dhe mund të hedhë dritë mbi mënyrën se si miliarda lekë kanë hyrë në tregun e ndërtimit gjatë viteve të fundit.

Nëse dyshimet konfirmohen nga hetimet, rasti mund të shënojë një pikë kthese në përballjen e drejtësisë me fenomenin e pastrimit të parave përmes kullave dhe projekteve gjigante të betonit që kanë mbirë në Tiranë dhe jo vetëm.

Zhvillimi i vrullshëm i kullave dhe përqendrimi i lejeve të ndërtimit në duart e një grupi të kufizuar kompanish nuk do të ishte i mundur pa rolin e Këshillit Kombëtar të Territorit. Nën drejtimin e Edi Ramës, është ndërtuar një sistem ku vendimmarrja për projektet më të mëdha kalon përmes një strukture të centralizuar, duke krijuar një treg ku mundësitë dhe fitimet përqendrohen tek pak aktorë të përzgjedhur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit