Një shqiptare që jeton në Angli është bërë virale në rrjetet sociale pas publikimit të një videoje ku shpreh hapur qëndrimin e saj në favor të investimeve dhe zhvillimit të turizmit elitar në Shqipëri, duke dalë kundër protestave që po zhvillohen për këtë çështje.
Në videon që ka marrë mijëra shikime dhe ka nxitur debate të shumta në rrjet, ajo deklaron se nuk shqetësohet aspak nëse qëndrimi i saj i kushton rënie të angazhimit në rrjetet sociale apo humbje të ndjekësve.
Sipas saj, Shqipëria ka nevojë për investime serioze dhe projekte që mund të tërheqin turistë me fuqi më të lartë ekonomike, duke e konsideruar këtë një mundësi për zhvillimin e vendit.
Ajo shprehet gjithashtu e lodhur nga fakti që jashtë vendit ende has njerëz që nuk e njohin Shqipërinë dhe i duhet vazhdimisht të shpjegojë vendndodhjen e saj në hartë.
“Ndihem e lodhur duke u shpjeguar njerëzve se ku ndodhet Shqipëria. Shpesh më duhet t’u them se është mes Italisë dhe Greqisë, sepse shumë prej tyre nuk e njohin fare vendin tonë”, shprehet ajo në video.
Deklaratat e saj kanë shkaktuar reagime të shumta online, ku një pjesë e komentuesve kanë mbështetur argumentet e saj për zhvillimin ekonomik dhe promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, ndërsa të tjerë kanë kritikuar qëndrimin e saj ndaj protestave.
Videoja vijon të shpërndahet gjerësisht në rrjetet sociale, duke u kthyer në një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit.