Një e re shqiptare që jeton në Lyon të Francës i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një video-mesazh, ku u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Francë të bashkohen në një protestë që do të zhvillohet të shtunën, më 13 qershor, në sheshin Place Bellecour (69002 Lyon).
Kjo thirrje vjen në kuadër të valës së protestave që po zhvillohen në Shqipëri dhe në diasporë kundër klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të demokracisë. Në Tiranë, qytetarët kanë dalë në protestë për të 11-ën ditë radhazi, ndërsa pjesëmarrja është rritur dita-ditës. Tubime të ngjashme janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe në vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë, aty ku jetojnë komunitete shqiptare.
Pak ditë më parë, një protestë u zhvillua edhe në Paris, ndërsa tashmë shqiptarët në Lyon po organizohen për një tubim të ngjashëm.
Në videon e dërguar në redaksinë tonë, e reja shprehet:
"Përshëndetje shqiptarë! Kjo video shkon për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Francë. Kam vendosur të organizoj një protestë për atë që po ndodh kohët e fundit në Shqipëri. Protesta do të bëhet në Lyon dhe më saktësisht në Place Bellecour, nga ora 18:00 deri në 20:00.
Unë e di që ka shumë shqiptarë që nuk kanë mundësi të shkojnë deri në Shqipëri për të protestuar. Prandaj po ju bëj thirrje, jo vetëm atyre që jetojnë në Lyon, por edhe atyre që jetojnë jashtë Lyonit, që të vijnë dhe të marrin pjesë.
Mos harroni të merrni pankarta, flamuj dhe gjithçka që simbolizon Shqipërinë. Sigurisht, mund të vini me familjarët tuaj, madje edhe shoqet e mia franceze do të marrin pjesë. Pres që të mblidhemi sa më shumë dhe që zëri ynë të dëgjohet sado pak. Takohemi të shtunën në Lyon."
Organizatorja shpreson që pjesëmarrja të jetë sa më e madhe, në mënyrë që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të mund të shprehin solidaritetin dhe qëndrimin e tyre ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri.