Prej vitesh dëgjojmë se Shqipëria po hyn në një epokë të re të turizmit. Rekorde turistësh, investime miliona euro, marina, aeroporte, hotele dhe premtime për një turizëm gjithnjë e më cilësor. Çdo verë na thuhet se vendi po tërheq vizitorë me standarde më të larta dhe se koha e turizmit me buxhet të ulët po mbetet pas.
Por një postim në një grup qirash në Vlorë duket se na rikthen përsëri në realitet.
Një çift i huaj ka publikuar një kërkesë për apartament për 12 netë, me kuzhinë të pajisur dhe internet. Deri këtu gjithçka normale. Ajo që ka tërhequr vëmendjen është buxheti i tyre: 10 euro nata.
Kërkesa ka ngjallur reagime të shumta, sidomos mes atyre që ofrojnë apartamente dhe akomodime turistike. Prej kohësh, shumë pronarë ankohen se përballen me kërkesa për çmime gjithnjë e më të ulëta, ndërkohë që kostot e mirëmbajtjes, taksat, energjia dhe investimet në prona janë rritur nga viti në vit.
Në të njëjtën kohë, një pjesë e mirë e sektorit turistik kërkon pikërisht të kundërtën: turistë që qëndrojnë më gjatë, konsumojnë më shumë dhe lënë më tepër të ardhura në ekonomi. Në teori, ky është edhe modeli i turizmit për të cilin flitet vazhdimisht në konferenca, deklarata dhe plane zhvillimi.
Pikërisht për këtë arsye, postime të tilla bien në sy. Nga njëra anë dëgjojmë se Shqipëria po synon turistë me fuqi më të madhe blerëse, ndërsa nga ana tjetër vazhdojnë të shfaqen kërkesa për akomodim me çmime që shumë pronarë i konsiderojnë të pamundura për realitetin e sotëm.
Mes turistëve që kërkojnë ofertën më të lirë të mundshme dhe pronarëve që shpresojnë për turistë që shpenzojnë më shumë, duket se debati për “turizmin elitar” vazhdon të mbetet po aq i nxehtë sa vetë sezoni veror.