Paraditen e 4 qershorit, 34-vjeçari Eglant Koçi u largua nga banesa e tij për të takuar mikun e tij, Armand Shakaj, në një ambient zyre në një pallat pranë bulevardit “Zhan D’Ark” në Tiranë. Sipas hetimeve, Koçi është filmuar nga kamerat e sigurisë duke hyrë në ndërtesë, por jo duke dalë prej saj.
Gjatë këqyrjes së zyrës, grupi hetimor ka gjetur gjurmë gjaku dhe materiale biologjike, prova që konsiderohen kyçe për zbardhjen e fatit të 34-vjeçarit. Në katin e dytë të pallatit ndodhen disa njësi tregtare të monitoruara me kamera sigurie, të cilat kanë dokumentuar hyrjen e Koçit, por jo largimin e tij.
Sipas dyshimeve të hetuesve, Armand Shakaj është përpjekur të fshijë gjurmët pas ngjarjes, duke ndërhyrë në sistemin e kamerave të sigurisë në korridoret e pallatit. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se pas çaktivizimit të kamerave të brendshme, ai dyshohet se ka urdhëruar kamerierin e lokalit të tij, Enea Zyferi, të ndërpriste energjinë elektrike, çka do të shmangte regjistrimin e lëvizjeve në zonë.
Prokuroria dyshon se gjatë kësaj kohe është bërë transportimi i trupit të 34-vjeçarit nga ambientet e zyrës drejt automjetit tip “Porsche” të përdorur nga i dyshuari, i cili ndodhej i parkuar jashtë ndërtesës.
Enea Zyferi është arrestuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje dhe Gjykata e Tiranës ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. Në deklarimet e dhëna para gjykatës, ai ka pretenduar se nuk kishte dijeni për fatin e Eglant Koçit dhe se kishte zbatuar vetëm urdhrat e pronarit të tij, i cili, sipas tij, i kishte thënë se do të transportonte një frigorifer.
Pas disa ditësh hetimesh intensive, Policia e Tiranës arriti të lokalizojë automjetin e Armand Shakajt. Gjatë kontrollit në bagazhin e mjetit janë gjetur materiale biologjike, të cilat janë sekuestruar dhe dërguar për ekspertim.
Një tjetër provë me rëndësi për hetimin është edhe motori i Eglant Koçit. Sipas hetimeve paraprake, pas ngjarjes i dyshuari e ka lëvizur mjetin fillimisht në zonën e Tregut Elektrik dhe më pas në “5 Maji”, ku u gjet dhe u sekuestrua nga policia.
Tashmë gjurmët biologjike dhe provat e mbledhura në zyrë, automjet dhe motor janë dërguar në laboratorin shkencor. Rezultatet e ekspertimeve pritet të hedhin më shumë dritë mbi një nga ngjarjet më të rënda kriminale të javëve të fundit.