Një pankartë e thjeshtë, e shkruar me stilolaps, është kthyer në një nga mesazhet më prekëse të protestës, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve për përmbajtjen e saj emocionale dhe historinë pas saj.
Në mes të protestuesve, një djalë mban në duar një pankartë ku shkruhet: “Sot jam këtu se nuk më latë zgjidhje tjetër! Është domosdoshmëri!” – një fjali e drejtpërdrejtë që reflekton ndjesinë e mungesës së alternativës dhe shtysën për të dalë në rrugë.
Por ajo që e bën edhe më prekëse këtë skenë është historia personale që qëndron pas pankartës. Sipas tij, edhe përgatitja e saj ka ardhur nga një sakrificë e vogël familjare: “Sot i mora nënës 10 mijë lekë për të bërë pankartat! Vetëm 10 mijë lekë i mora se aq i kishin mbetur nga pensioni që mori dje.”
Mesazhi i tij është shndërruar në simbol të vështirësive ekonomike dhe ndjesisë së detyrimit për t’u dëgjuar, duke e bërë këtë pankartë një nga momentet më emocionale të protestës.