Momenti kur Shakaj që rrëmbeu shokun e tij largohet me motorin e Koçit!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 10.06.2026, 14:59

Zhdukja misterioze e 34-vjeçarit Eglant Koçi vijon të mbetet pa përgjigje, ndërsa hetimet kanë nxjerrë në pah prova të reja që rëndojnë dyshimet ndaj Armand Shakajt, i njohur si “Mand Dhelpra”. Pamjet e kamerave të sigurisë pranë nënstacionit elektrik te Bulevardi i Ri tregojnë motoçikletën e Koçit duke u drejtuar nga një person i veshur me të bardha në orën 00:48 të datës 5 qershor, vetëm pak orë pas zhdukjes së tij. Sipas hetuesve, personi që shfaqet në video është pikërisht Shakaj, i cili fillimisht braktis motorin në zonën e “5 Majit” dhe më pas largohet në këmbë, në një lëvizje që dyshohet se synonte të fshihte gjurmët.

Pas identifikimit të tij, policia ushtroi kontrolle në ambientet në pronësi të 41-vjeçarit, përfshirë një fast-food ku dyshohet se Koçi mund të jetë mbajtur peng. Në pranga përfundoi edhe kamarieri Enea Zyferi, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit. Ai ka deklaruar se e pa 34-vjeçarin të hynte në ambient, por pretendon se nuk di se çfarë ndodhi më pas. Sipas dëshmisë së tij, Shakaj i kërkoi të fikte dritat e biznesit me pretekstin e zbritjes së një frigoriferi, ndërsa kamerat e sigurisë vijuan të regjistronin lëvizjet brenda dhe jashtë objektit.

Pamjet filmike tregojnë më pas Armand Shakajn duke dalë nga ambienti me një objekt të madh të zi, të cilin e fut në automjet dhe largohet. Hetuesit dyshojnë se ai objekt mund të ketë lidhje me fatin e Eglant Koçit, megjithëse kjo ende nuk është provuar. Në automjetin e Shakajt janë gjetur edhe njolla gjaku, ndërsa nga analiza e kamerave dhe e qelizave telefonike rezulton se ai ka udhëtuar drejt një zone malore mes Dajtit, Dibrës dhe Librazhdit. Prej ditësh, forca të shumta policie dhe qen kërkimi po krehin territorin në përpjekje për të gjetur gjurmë të 34-vjeçarit, por deri tani pa rezultat.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit