Banorët e zonës së pallateve “Çabej” në “Misto Mame” kanë ngritur shqetësimin për një situatë të rënduar higjieno-sanitare, ku prej tre ditësh ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe.
Sipas denoncimit të bërë nga qytetarët, problematika ka krijuar vështirësi serioze si për banorët e pallateve, ashtu edhe për kalimtarët e zonës, duke e bërë lëvizjen në atë segment thuajse të pamundur dhe me rrezik për shëndetin.
Banorët shprehen se kanë njoftuar Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT), por deri më tani nuk ka pasur ndërhyrje efektive për zgjidhjen e situatës. Sipas tyre, edhe pas disa ditësh pritjeje, nuk janë marrë masa konkrete, përfshirë dërgimin e pajisjeve për pastrimin e pusetës së bllokuar, e cila dyshohet si shkaku kryesor i derdhjes së ujërave të zeza.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet përkatëse, pasi situata po përkeqësohet dhe rrezikon të kthehet në një problem më të gjerë për komunitetin e lagjes.