Banorët dhe pushuesit e Shëngjinit kanë denoncuar sot në redaksinë tonë një ndërhyrje të papritur në një prej hapësirave të pakta të plazhit publik në zonën e “Rana e Hedhun”.
Sipas tyre, pranë hotelit “Ylionis”, një hapësirë e përdorur prej vitesh nga familjet si plazh publik është ndërhyrë sot nga mjete të rënda (fadroma), duke sjellë largimin e qytetarëve që ndodheshin aty.
Banorët shprehen se kjo ishte e vetmja zonë e lirë ku ata frekuentonin plazhin me familjet e tyre prej vitesh, ndërsa sot janë detyruar të largohen.
“Na hoqën çadrat dhe na larguan nga plazhi. Tani na është thënë se toka ka pronar privat dhe se hapësira nuk mund të përdoret më si plazh publik,” – shprehen qytetarët, duke ngritur shqetësimin se hapësira është zënë dhe po trajtohet si pronë private.
Ata kërkojnë sqarime nga institucionet përkatëse dhe verifikim të situatës, duke theksuar se zona ka shërbyer prej kohësh si plazh i lirë për pushuesit dhe banorët e zonës.