25-vjeçari Enea Zyferi, i cili punonte si kamerier në lokalin në pronësi të Armand Shakajt, person i shpallur në kërkim, ka mohuar çdo përfshirje në ngjarjen që lidhet me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi.
Në seancën në Gjykatën e Tiranës, ku ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e përkrahjes së autorit të krimit, Zyferi deklaroi se nuk ka dijeni për fatin e Koçit dhe se veprimet e tij kanë qenë të kryera me urdhër të pronarit të lokalit.
“Armand Shakaj më kërkoi të fikja dritat. Më tha se do të nxirrte një frigorifer. Nuk kam asnjë dijeni për fatin e Eglant Koçit”, është shprehur ai në dëshminë e dhënë para gjykatës.
Sipas deklarimeve të tij, Zyferi e njihte 34-vjeçarin për shkak të punës në lokal dhe e kishte parë të hynte në ambientet e biznesit. Ai ka shtuar se më pas Shakaj i kishte kërkuar të fikte dritat, si dhe të dërgonte automjetin në lavazh për pastrim, detyrë që, sipas tij, e ka kryer në zonën e Bulevardit të Ri.
Ndërkohë, sipas dyshimeve të grupit hetimor, Eglant Koçi dyshohet se është thirrur nga Armand Shakaj në një ambient pranë shkollës “Ismail Qemali”, përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku dyshohet se është mbajtur peng dhe më pas është vrarë.
Hetimet paraprake sugjerojnë se, pavarësisht fikjes së energjisë elektrike, kamerat e sigurisë kanë regjistruar lëvizje që dyshohet se lidhen me nxjerrjen e trupit të viktimës dhe transportimin e tij me automjet. Sipas të njëjtave burime, trupi mund të jetë zhdukur në një zonë të thellë të Librazhdit.
Gjithashtu dyshohet se janë ndërmarrë veprime për të zhdukur gjurmët e krimit, përfshirë pastrimin e lokalit dhe automjetit të përdorur, si dhe zhvendosjen e motorit të viktimës në zonën e 5 Majit për të devijuar hetimet. Në vendngjarje dhe në automjet janë konstatuar edhe gjurmë të dyshuara gjaku.
Armand Shakaj është shpallur në kërkim nga policia për pengmarrjen dhe vrasjen e dyshuar të 34-vjeçarit. Sipas hetimeve, motivi i ngjarjes dyshohet të lidhet me konflikte për portofola të kriptomonedhave, ndërsa Koçi më herët dyshohet se punonte si korrier për zyrat e këmbimit të kriptomonedhave, duke transportuar para cash pas konvertimeve.
Familjarët kanë denoncuar zhdukjen e tij më 4 qershor, ndërsa prej më shumë se një jave nuk ka asnjë informacion mbi fatin e 34-vjeçarit. Policia dhe Prokuroria vijojnë kërkimet për gjetjen e tij dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.