Një qytetar, banor i një pallati te Kthesa e Kamzës ka denoncuar vështirësitë që po hasin rezidentët për shkak të mungesës së vendeve të parkimit dhe gjobave të shpeshta nga policia.
Sipas tij, banorët që kthehen nga puna nuk gjejnë hapësira për të parkuar pranë banesave të tyre, pasi shumë vende zihen nga persona që nuk janë rezidentë të zonës. Nga ana tjetër, automjetet e banorëve gjobiten vazhdimisht.
“Vijmë nga puna dhe nuk kemi ku të parkojmë. Në njërën anë parkojnë persona që nuk jetojnë këtu, ndërsa në anën tjetër policia na vendos gjoba pa pushim. Jemi në vështirësi dhe nuk dimë më ku t’i lëmë makinat”, shprehet qytetari.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të gjetur një zgjidhje afatgjatë, duke marrë në konsideratë krijimin e vendeve të rezervuara për rezidentët dhe rishikimin e situatës së parkimeve në këtë zonë.