Edhe pse sezoni turistik ka nisur dhe fluksi i vizitorëve drejt bregdetit jugor është në rritje, mjetet e tonazhit të rëndë vazhdojnë të qarkullojnë pa ndërprerje në aksin Dhërmi–Himarë. Prania e vazhdueshme e kamionëve dhe mjeteve të ndërtimit po shkakton bllokime të trafikut, vonesa në lëvizje dhe pakënaqësi tek turistët vendas dhe të huaj.
Pushuesit shprehen se kolonat e gjata të automjeteve dhe punimet e shumta po ndikojnë negativisht në përvojën e tyre gjatë qëndrimit në jug të vendit. Ndërkohë, në disa zona vijojnë aktivitetet ndërtimore intensive, duke krijuar përshtypjen se bregdeti jugor është shndërruar në një kantier të madh ndërtimi pikërisht në periudhën kur pritet numri më i lartë i turistëve.
Banorë dhe vizitorë kërkojnë masa për menaxhimin e qarkullimit të mjeteve të rënda gjatë sezonit veror, me qëllim lehtësimin e trafikut dhe ruajtjen e imazhit turistik të zonës.