Një shërbim i ri mjekësor, ai i terapisë hormonale, pritet të ngrihet pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në kuadër të një udhëzimi të Ministrisë së Shëndetësisë që parashikon ofrimin e këtij trajtimi në pavijonin e Endokrinologjisë.
Sipas informacioneve të raportuara në media, vetëm gjatë periudhës maj-qershor 2026 janë depozituar mbi 80 kërkesa për përfshirje në skemën e terapisë hormonale, ndonëse shërbimi ende nuk ka nisur zyrtarisht funksionimin.
Burime mjekësore pranë pavijonit të Endokrinologjisë kanë ngritur shqetësime për interesin e lartë të shfaqur ndaj këtij trajtimi. Sipas tyre, numri i kërkesave të paraqitura në një periudhë kaq të shkurtër konsiderohet i lartë dhe ka nxitur diskutime të brendshme mes personelit shëndetësor lidhur me pasojat dhe mënyrën e zbatimit të këtij shërbimi.
Debati është shtrirë edhe jashtë institucioneve shëndetësore. Organizata të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj nismës, duke argumentuar se ajo prek çështje me ndikim të gjerë social dhe familjar.
Nga ana tjetër, udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe mekanizmat e monitorimit për terapinë hormonale. Dokumenti parashikon që trajtimi të ofrohet pranë QSUT-së dhe të financohet nga fondet publike.
Sipas protokollit, terapia hormonale mund të aplikohet si për të rriturit ashtu edhe për adoleshentët mbi moshën 16 vjeç, në rastet kur ekziston vlerësimi i ekipit mjekësor dhe miratimi i familjes.