Një grup i dyshuar për shitjen e armëve të zjarrit është goditur në Tiranë, ndërsa nga operacioni kanë përfunduar në pranga katër persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuar janë Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zako dhe Kristaq Biba, ndërsa Kevin Vila dhe Bledar Avdillari vijojnë të kërkohen nga autoritetet. Më herët, në kuadër të të njëjtit hetim, ishin arrestuar edhe Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligor Mehmeti dhe Klodian Mustafa.
Sipas dyshimeve të ngritura nga hetuesit, të gjithë këta persona vepronin në bashkëpunim për sigurimin dhe shitjen e armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Gjatë operacionit janë sekuestruar shtatë armë zjarri, katër pistoleta dhe tre automatikë, si dhe municion luftarak. Hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit vijojnë.