Algat nxjerrin në pah dështimin në llixhat e Bënjës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 10.06.2026, 08:58

Pas publikimit të pamjeve që tregonin vaskat e Banjave Termale të Bënjës të mbuluara nga alga dhe myshqe, në zonë është ndërhyrë për pastrimin dhe zbrazjen e tyre. Megjithatë, ndërhyrja e fundit duket më shumë si një masë emergjente sesa një zgjidhje e problemit që prej kohësh po ngre shqetësime tek banorët dhe vizitorët e këtij destinacioni të njohur natyror.

Ajo që po ndodh në Bënjë është një shembull tipik i mënyrës sesi ndërhyrjet infrastrukturore shpesh vendosen mbi logjikën e natyrës. Një pasuri e krijuar nga proceset gjeologjike ndër shekuj u transformua me beton, hekur dhe struktura artificiale me synimin për ta bërë më të aksesueshme dhe më tërheqëse. Sot, kur pellgjet shfaqin shenja degradimi dhe qarkullimi i ujit duket se nuk funksionon si më parë, lind natyrshëm pyetja nëse projekti i rikualifikimit i shërbeu vërtet burimit apo vetëm estetikës së tij. Në vend që të përshtatej infrastruktura me natyrën, duket se natyra u detyrua t’i përshtatej infrastrukturës.

JOQ Albania ka raportuar vazhdimisht shqetësimet e qytetarëve për gjendjen e llixhave, ndërsa zhvillimet e fundit tregojnë se alarmi nuk ishte i pabazë. Nëse një atraksion natyror me vlera kurative dhe turistike kërkon ndërhyrje korrigjuese vetëm pak vite pas një investimi të kushtueshëm, atëherë përgjegjësit kanë detyrimin të japin shpjegime. Pastrimi i algave mund të përmirësojë përkohësisht pamjen, por nuk zgjidh çështjen themelore: nëse ndërhyrja njerëzore ka prishur mekanizmin natyror të funksionimit të burimeve, atëherë problemi nuk ndodhet në sipërfaqe, por në vetë filozofinë me të cilën u trajtua Bënja.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit