Kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në Fier, komentoi edhe protestat kundër projektit të investimit në Zvërnec, duke theksuar se Shqipëria është bërë pjesë e përplasjeve të ndryshme të interesave ndërkombëtare.
Teksa foli për kundërshtimet ndaj projektit, Rama sqaroi se nuk i konsideron protestuesit si persona të infiltruar apo të drejtuar drejtpërdrejt nga forca të jashtme, por tha se një pjesë e tyre mund të jenë ndikuar nga narrativa dhe interesa të caktuara.
“Ajo që po ndodh sot me Shqipërinë dhe pse Shqipëria po përdoret kaq masivisht në vende dhe nga njerëz që nuk kanë dhimbje për flamingot e Zvërnecit, por se Shqipëria sot është në epiqendër të një sërë përplasjesh. Nuk po them që njerëzit që dalin atje janë agjent, spiunë apo të futur nga forca të errëta, por është një pjesë njerëzish atje që kanë rënë pre e gjithë këtyre gjërave. Shqipëria ka qenë vendi ku bëhej turizëm gjuetie. Njësoj si trafiqet, kishte një sistem të tërë për të sjellë turistë me çifte. Ishte turizmi i vrasjes ilegale të vrasjes së kafshëve e shpendëve në Shqipëri”, tha Rama.
Kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe të kaluarën e vendit në raport me mjedisin, duke kujtuar periudhën kur, sipas tij, Shqipëria ishte kthyer në destinacion për gjuetinë e paligjshme të kafshëve dhe shpendëve, fenomen që ai e krahasoi me format e tjera të trafikut të organizuar.