Drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), Arlinda Pogaj, përmendet në një seri akuzash dhe pretendimesh që e paraqesin si pjesë të një skeme të dyshuar për manipulimin e procedurave tenderuese, paracaktimin e fituesve, korrupsionin, pastrimin e parave dhe mashtrimin. Sipas denoncimeve të publikuara në rrjet, disa persona të lidhur me drejtuesen e OBP-së dyshohet se luajnë role të ndryshme në këtë aktivitet.
Një skemë e ngjashme me atë të zbuluar në dosjen e vilës në Dhërmi të Belinda Ballukut, duket se Arlinda do të jetë Linda e dytë që do të përfundojë në SPAK për përvetësim parash publike.
Në qendër të skemës përmendet Edigen Pogaj, bashkëshorti i Arlinda Pogajt, i cili punon si jurist pranë kompanisë “Shpresa AL”. Sipas pretendimeve, ai vepron si ndërmjetës mes zyrtarëve të OBP-së dhe biznesmenëve që synojnë të përfitojnë tendera publikë.
Raportohet se Edigen Pogaj kontakton pronarë kompanish përmes një numri telefoni të huaj dhe organizon takime në Tiranë, kryesisht në zonën e Myslym Shyrit dhe pranë zyrave të “Shpresa AL” në Bulevardin “Zogu I”. Në këto takime, sipas akuzave, negociohen kushtet e tenderëve, përfshirë përqindjen që bizneset duhet të paguajnë, e cila pretendohet të variojë nga 20 deri në 30 për qind e vlerës së kontratës.
Roli i Mirela Zholit dhe Entela Postolit
Pas arritjes së marrëveshjeve me operatorët ekonomikë, Arlinda Pogaj angazhon dy bashkëpunëtore të afërta, Mirela Zholin dhe Entela Postolin.
Pretendohet se ato kanë rol kyç në hartimin e kritereve të tenderëve, duke i përshtatur ato me kërkesat e operatorëve të paracaktuar si fitues. Një nga rastet e përmendura lidhet me tenderin 3.7 milionë euro për blerjen e automjeteve të Policisë së Shtetit, ku kriteret teknike, sipas akuzave, janë ndërtuar në mënyrë që të favorizojnë një kompani të caktuar.
Mirela Zholi përshkruhet si një nga personat më të besuar të drejtoreshës së OBP-së dhe si pjesë aktive në procesin e manipulimit të procedurave. Gjithashtu pretendohet se përfiton financiarisht nga kjo veprimtari. Në artikull ngrihen dyshime edhe për pasuri të paluajtshme që, sipas autorëve të denoncimit, mund të jenë krijuar përmes të ardhurave të paligjshme.
Erion Shtylla, hallka vendimtare në procesin e vlerësimit
Një tjetër emër që përmendet është Erion Shtylla. Sipas pretendimeve, ai luan rol vendimtar në finalizimin e procedurave të tenderimit, duke marrë pjesë në vlerësimin dhe certifikimin e procedurave të konsideruara si të diktuara.
Shtylla, në koordinim me Arlinda Pogajn, ndikon edhe në përzgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të vlerësimit të ofertave. Sipas të njëjtit burim, ai dhe Mirela Zholi konsiderohen si bashkëpunëtorët kryesorë të drejtoreshës së OBP-së në skemat e dyshuara korruptive.